Edukimi

Edukimi
Dialog me studentë – J.K.
Po mendoja nëse e keni pyetur ndonjëherë veten se cili është kuptimi i edukimit. Përse shkojmë në shkollë, përse mësojmë lëndë të ndryshme, përse japim provime dhe jemi në konkurencë me njëri-tjetrin për të marrë nota më të mira? Cili është kuptimi i të ashtuquajturit edukim, dhe çfarë është tamam ai? Kjo është me të vërtetë një pyetje e rëndësishme, jo vetëm per studentë, por edhe për prindër, për mësues dhe këdo që është i ndjeshëm ndaj mënyrës si shkojnë gjërat. Përse futemi në fushëbetejën e edukimit? E bëjmë thjeshtë për të kaluar ndonjë provim dhe për të gjetur një punë? Apo ndoshta funksioni i edukimit është të na përgatisë sa jemi të rinj të kuptojmë gjithë proçesin e jetës? Të kesh një punë dhe të fitosh për të jetuar është e domosdoshme, por a është gjithçka? Vetëm për këtë edukohemi? Sigurisht jeta nuk është vetëm një punë, një pozicion; jeta është diçka jashtëzakonisht e larmishme dhe e thellë, mister i madh. Nëse përgatitja jonë do të jetë vetëm për të siguruar jetesën, do shkëputemi nga tërësia e jetës; dhe të kuptosh jetesën është shumë më e rëndësishme se të përgatitesh për provime dhe të jesh i zoti në matematikë, fizikë apo çfarëdo tjetër.
Andaj, mësues apo student, a nuk është vallë e rëndësishme të pyesim veten përse edukojmë ose edukohemi? Jeta është shume e gjërë: male, zogj, lule, pemë, qiell, yje, lumenj e peshqit në to; gjithë kjo është jetë. Jetë është i pasuri dhe i varfëri; jetë është lufta e vazhdueshme ndërmjet grupimeve, rracave, kombeve; jetë është feja, dhe gjithashtu gjërat e mendjes sonë, të fshehta dhe të holla: ambiciet, xhelozitë, pasionet, frikërat, kënaqësitë dhe ankthet. Gjithë këto dhe shumë të tjera janë jetë. Por përgjithësisht ne përgatitemi për të kuptuar vetëm një pjesë të vogël. Kalojmë disa provime, gjejmë një punë, martohemi, bëjmë fëmijë, e bëhemi gjithnjë e më të ngjashëm me makineri. Vazhdojmë të jemi të trembur, në ankth, të frikësuar nga jeta. Prandaj funksioni i edukimit është të na ndihmojë të kuptojmë gjithë proçesin e jetës, apo vetëm të na përgatisë për një profesion dhe për punën më të mirë që mund të gjejmë?
Ç’do ndodhë me të gjithë ne kur të rritemi e bëhemi burra e gra? E keni pyetur ndonjëherë veten se ç'do të bëni kur të jeni adultë? Me shumë mundësi do jeni të martuar, para se të merrni vesh se ku jeni do jeni bëre nëna dhe baballarë, dhe në këtë pikë do jeni të lidhur plotësisht me një punë ose me shtëpinë. Kjo është gjithë ç'do të ndodhë me jetën tuaj? E keni bërë ndonjëherë këtë pyetje?
Me siguri edukimi është jo domethënës nëse nuk j'u ndihmon të kuptoni jetën në gjithë larmishmerinë e saj, në gjithë detajet, me bukurinë e jashtëzakonshme, vuajtjet dhe gëzimiet. Mund të keni diploma, çertifikata, një mori titujsh e njohjesh në krah të emrit tuaj dhe të gjeni një punë të mirë, po pastaj? Për çfarë shërben e gjitha nëse gjatë këtij proçesi mëndja bëhet e mbyllur, e lodhur, e trashë? Prandaj, derisa jemi të rinj, mos duhet të kuptojmë jetën? A nuk është funksioni i vërtetë i edukimit kultivimi i një inteligjence në gjëndje t’i përgjigjet gjithë këtyre problemeve? E dini çfarë është inteligjenca? Është aftësia për të menduar i lirë, pa frikë, pa formula, duke e zbuluar vetë çfarë është e vërtetë, çfarë është reale; por nëse jeni të frikësuar nuk do jeni kurrë inteligjentë. Çdo formë ambicje, shpirtërore ose materiale, sjell ankth, frikë; andaj ambicja nuk ndihmon në formimin e një mëndjeje të kthjellët, të thjeshtë, të drejtpërdrejtë, pra inteligjente.
E dini, në moshë të re është me të vertetë e rëndësishme të jetohet në një ambjet ku nuk ka frikë. Shumë nga ne, kur rritemi, kemi frikë; frikë nga jeta, frikë mos humbasim punën, frikë nga zakonet, frikë nga çfarë do thonë komshinjtë, gruaja ose burri, frikë nga vdekja. Shumë nga ne kanë frikë, në një mënyrë ose në një tjetër, dhe ku ka frikë nuk ka inteligjencë. A nuk do të ishte e mundur për të gjithë ne, deri sa jemi të rinj, të rrimë në një ambient ku nuk ka frikë, por përkundrazi në një atmosferë të lirë?
Jo të imitosh, të zbulosh: ky është edukim. Është shumë e thjeshtë të pajtohesh me çfarë thotë shoqëria, prindërit apo mësuesit. Është një mënyrë për të qenë të sigurt dhe rehat; por nuk është të jetosh, pasi aty ka frikë, shkatërrim, vdekje. Të jetosh do të thotë të zbulosh vetë atë që është e vërtetë, dhe mund ta bëni vetëm nëse ka liri.
Askush nuk j'u inkurajon të bëni pyetje, t’i zbuloni gjërat vetë, pasi nëse do rebeloheni jeni një rrezik për gjithë çka është e rreme, falso. Shoqëria do që ju të rrini të qetë, edhe ju doni. Të jetosh me rehati përgjithësisht do të thotë të jetosh në imitim, prandaj në frikë. Sigurisht që funksioni i edukimit është të ndihmojë secilin prej nesh të jetojë i lirë dhe pa frikë, apo jo? Dhe për të krijuar një atmosferë pa frikë kërkohet një sforco e madhe mendore nga të dyja palët, mësuesi dhe studentët.
Bota është e ndarë në besime/mendësi kundërshtuese, në ndarje për shkak të nivelit të mirëqënjes, për shkak të kombësisë apo origjinës, nga çdo formë budallallëku dhe mizorie; dhe kjo është bota ku j'u edukojnë që të përshtateni.
Atëherë funksioni i edukimit është vetëm përpjekja për t’u pajtuar me modelin e një rendi shoqëror të korruptuar? Apo t’ju japë liri – lirinë e plotë për t’u rritur dhe për të krijuar një shoqëri ndryshe, të re? Duhet ta kemi ketë liri, jo në të ardhmen por tani, përndryshe mund të humbasim të gjithë. Duhet të krijojmë menjëherë një atmosferë të lirë në mënyrë që të mund të jetoni dhe të zbuloni vetë çfarë është e vërtetë, në mënyrë që të bëheni inteligjentë, që të jeni në ndryshim të vazhdueshëm.
© 2019 by Traceless